Në ambientet e Shoqatës “Gender, Paqe e Siguri”, u zhvillua më 22 shtator 2025 takimi i rradhës me grupet e punës të ngritura në kuadër të projektit “Forcimi i Bashkëpunimit dhe Ndërhyrjeve për Parandalimin dhe Adresimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore përmes funksionimit të Mekanizmave Lokale dhe Policimit në Komunitet”, pjesë e Skemës së Granteve – Raundi 1.
Në takim ishin prezentë përfaqësues të institucioneve vendore shërbim – ofruese të njësive administrative 4,5,6 të qytetit të Durrësit, si Specialistë Policimit në Zonë (SPZ), punonjës social të Njësisë së Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rasteve, staf mjekësor e psikologë të qendrave shëndetësore, punonjës të Njësisë të Mbrojtjes së Fëmijëve, staf nga Qendrat Komunitare.
Rëndësi gjatë diskutimeve në takim mori çështja e strehimit të viktimave të dhunës, ngërçet dhe sfidat e hasura në këtë drejtim, si dhe rëndësia e rritjes së përfshirjes së grave në rradhët e Policisë.
Ky takim, përveç se krijoi mundësinë e diskutimit të nevojave dhe problematikave në menaxhimin e rasteve, shërbeu edhe si një urë lidhëse dhe mundësi bashkëpunimi mes aktorëve, si dhe ndërgjegjësimin në komunitet.

