Aktivitet nga Skema e Granteve – Siguria Rrugore – Durrës

Më 24 Shtator 2025, Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes organizoi sesionin ndërgjegjësues me nxënësit e Kolegjit ‘Turgut Ozal’ në Durrës, si pjesë e projektit “Ndërgjegjësimi dhe Aktivizimi i të Rinjve për Siguri dhe Edukim”. Nxënësit fillimisht morën informacion teorik në klasë, e më pas morën pjesë me shumë energji dhe kuriozitet në një demonstrim konkret të pasojave të aksidenteve rrugore përmes makinës stimuluese.

Me mbështetjen e ekspertëve të sigurisë dhe përfaqësuesve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si dhe stafin e shkollës, të rinjtë reflektuan mbi sjelljet e tyre dhe rolin që secili ka për të parandaluar rreziqet. Aktiviteti synoi t’i japë zë të rinjve në promovimin e një kulture qarkullimi më të ndërgjegjshme dhe më të përgjegjshme, një përvojë që i bëri të reflektojnë thellë. Për disa ishte një emocion i fortë, për të tjerë një mësim i paharrueshëm. “Nuk e kisha menduar kurrë se si ndihesh kur je në një aksident, edhe pse ishte simulim, ishte një thirrje për kujdes.” – shprehet një nga nxënësit pjesëmarrës.