Më 9 Dhjetor 2025, në shkollën e mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë, Malësi e Madhe, u zhvillua takimi ndërgjegjësues me nxënësit e klasës së 10-të, organizuar nga “Gruaja tek Gruaja” në kuadër të Skemës së Granteve të Programit SCPA dhe Fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Aktiviteti synonte forcimin e njohurive të nxënësve mbi policimin në komunitet dhe rolin aktiv të të rinjve në rritjen e sigurisë. Në fillim, nxënësit u njohën me parimet e këtij modeli të bashkëpunimit midis policisë dhe qytetarëve, ndërsa më pas u organizuan në katër grupe pune që analizuan situata reale që lidhen me konfliktet mes të rinjve, sjelljen në rrjetet sociale, sigurinë pranë shkollës dhe perceptimin ndaj policisë në komunitet. Gjatë bashkëbisedimit, nxënësit vunë në dukje se ndërgjegjësimi për sjelljet e përditshme dhe reagimi i shpejtë ndaj situatave të pasigurta mund të bëjë ndryshim real në komunitet. U shpreh edhe nevoja për më shumë qartësi dhe mbështetje kur të rinjtë përballen me vështirësi, si dhe rëndësia që ka mënyra e komunikimit në rrjetet sociale. Gjatë diskutimeve, ata identifikuan edhe aktorët kryesorë në menaxhimin e rasteve problematike dhe propozuan mënyra konkrete bashkëpunimi mes shkollës, familjes, policisë dhe bashkisë.

