Fuqizimi i të rinjve për një siguri publike më të fortë në komunitet

Më 22 janar 2026, Këshilli Vendor për Sigurinë Publike (KVSP) Elbasan në bashkëpunim me organizatën Tjetër Vizion, zhvilloi një takim bashkëbisedues me të rinjtë e Këshillit Vendor Rinor të Bashkisë Elbasan, duke krijuar një hapësirë dialogu mbi sfidat dhe nevojat konkrete të sigurisë publike në komunitet.

Takimi theksoi rolin e të rinjve si aktorë kyç në parandalimin dhe raportimin e incidenteve, veçanërisht në mjediset shkollore. Në këtë kuadër, u prezantua kontributi i projektit PARTNER përmes zhvillimit të një aplikacioni online për denoncimin e incidenteve në shkolla, i cili mundëson raportim të sigurt, të shpejtë dhe ndjekje institucionale të rasteve të referuara. Gjatë aktivitetit, Kryetari i Bashkisë Elbasan, njëkohësisht Kryetar i KVSP, prezantoi situatën e sigurisë publike në bashki, duke iu referuar gjetjeve të studimit të perceptimit qytetar për çështjet e sigurisë publike, realizuar në kuadër të projektit PARTNER në qarkun Elbasan. Ky proces ka shërbyer si bazë për ndërhyrje më të informuara dhe politika vendore të orientuara nga nevojat reale të komunitetit.

Ky angazhim dëshmon se përfshirja e të rinjve, e kombinuar me mjete digjitale dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna, përbën një hap konkret drejt ndërtimit të komuniteteve më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse.