Më 11 mars 2026 u zhvillua në Shkollën e Bashkuar Grabian takimi informues dhe ndërgjegjësues mbi rreziqet e trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve në komunitetet rome dhe egjiptiane.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Skuadra e Sigurisë Publike 2 – Partner për një komunitet të sigurt”, pjesë e Skemës së Granteve të Programit SCPA.
Takimi u organizua në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në kuadër të planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të nxjerra nga Komiteti i Palëve të Konventës së Këshillit të Evropës për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, për forcimin e masave kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Qëllimi i takimit ishte rritja e ndërgjegjësimit të nxënësve, prindërve dhe mësuesve mbi rreziqet e trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve, veçanërisht në komunitetet rome dhe egjiptiane, si dhe ofrimi i këshillave për mbrojtjen dhe raportimin e rasteve të dyshuara.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, punonjës të shërbimit social në bashkinë Divjakë, Oficerja e Sigurisë dhe përfaqësues të shërbimit psikosocial në shkollë, si dhe prindër dhe fëmijë të komunitetit.
Gjatë takimit u trajtuan disa tema të rëndësishme që lidhen me ndërgjegjësimin dhe parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Pjesëmarrësit u informuan mbi çfarë është trafikimi i qenieve njerëzore dhe format në të cilat ai mund të shfaqet, si dhe mbi rreziqet që ai paraqet për fëmijët dhe të rinjtë. Gjithashtu u theksua roli i rëndësishëm që kanë familja dhe komuniteti në parandalimin e këtyre fenomeneve. Gjatë diskutimit u trajtua edhe mënyra e identifikimit të rasteve në rrezik, rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe komunitetit, si dhe procedurat dhe mënyrat se si mund të raportohen rastet e dyshuara.

