Më 17 Prill 2026 në Bashkinë Shkodër u zhvillua takimi i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike , ku ndër të tjera u bë prezantimi i rezultateve të Sistemit të Matjes së Sigurisë në Komunitet (SMSK) dhe nxitjen e diskutimit ndërinstitucional mbi sigurinë publike. Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme vendore, përfshirë policinë, shërbimet sociale dhe organizata të shoqërisë civile.
Gjatë prezantimit u evidentuan perceptimet e qytetarëve mbi sigurinë dhe problematikat kryesore në komunitet. Përfaqësuesit e Policisë theksuan se disa fenomene, si vjedhjet dhe aktiviteti kriminal, janë në rënie sipas të dhënave zyrtare, ndërsa diskutimet nxorën në pah rëndësinë e marrjes në konsideratë edhe të perceptimeve të qytetarëve.
Në përfundim, u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe funksionimin e rregullt të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, si dhe vijimin e analizës së gjetjeve për të përmirësuar sigurinë në komunitet.
Zhvillimi i sondazhit të Sistemit të Matjes së Sigurisë në Komunitet (SMSK) është kryer në kuadër të Skemës së Granteve të Programit SCPA dhe për qarkun Shkodër është zbatuar nga organizata Gruaja tek Gruaja.

