Prej dates 4 Maj 2026, Kuratoriumi për Sigurinë Rrugore (KRS), në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese për sigurinë rrugore, zhvilloi 5 seanca trajnuese me 5 matura të Gjimnazit “Myslym Keta” në Tiranë. Aktivitetet u fokusuan në rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rreziqet në rrugë, normat e sjelljes dhe rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë sesioneve, maturantët u njohën me situatën e aksidenteve rrugore në Shqipëri, shkaqet dhe faktorët kryesorë që ndikojnë në ndodhjen e tyre, si shpejtësia, përdorimi i alkoolit, mungesa e përvojës në drejtim dhe mospërdorimi i rripit të sigurimit. Nxënësit morën informacion edhe mbi drejtimin e sigurtë të mjetit, penalitetet ligjore në rast të drejtimit pa leje drejtimi si dhe pasojat që sjell një sjellje të papergjegjshme në rrugë.
Një nga temat me të rëndësishme ishte përdorimi i rripit të sigurimit dhe efektet e ligjit të inercisë në rast aksidenti. Përmes shembujve konkretë dhe videove demonstrative, maturantët u informuan se në momentin e përplasjes trupi vazhdon lëvizjen me të njëjtën shpejtësi që kishte automjeti. Kur personi është pa rrip sigurimi, ai fluturon përpara duke u përplasur me xhamin ose duke dalë jashtë automjetit. Forcat e inercisë dhe energjia e goditjes bëjnë që pesha e trupit në atë moment të shumëfishohet, duke arritur një forcë goditese sa pesha e një elefanti, çka sjell pasoja fatale.
Pjese e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe eksperienca praktike me automjetin simulator të rripit të sigurimit. Nxënësit provuan simulimin e një aksidenti me përmbysje të automjetit, ku makina rrotullohej 360 gradë. Gjate këtij demonstrimi u vërtetua qartë se përdorimi i rripit të sigurimit mban trupin të fiksuar në sedilje dhe rrit ndjeshëm mundësinë për të dalë pa lëndime serioze nga aksidenti.
Në përfundim të aktiviteteve u theksua se rripi i sigurimit nuk duhet përdorur vetem sepse është detyrim ligjor dhe i sanksionuar në Kodin Rrugor, por sepse është një mjet jetik për mbrojtjen e jetës. Një pjesë mjaft praktike dhe ndërvepruese e aktivitetit ishte demonstrimi me automjetin simulator të KRS-së, përmes të cilit të rinjtë patën mundësinë të provojnë nga afër rëndësinë jetike të përdorimit të rripit të sigurimit gjatë drejtimit të automjetit.

