Në kuadër të zbatimit të projektit “Skuadra e Sigurisë Publike 2 – Partner për një komunitet të sigurt”, u zhvillua një aktivitet informues dhe ndërgjegjësues me nxënësit e Shkollës së Mesme “Dertliu” në Fier.
Aktiviteti u organizua nga Qendra “Epoka e Re” në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës, Zyrën e Ndihmës Juridike Falas dhe Zyrën Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Qëllimi i aktivitetit ishte informimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve mbi problematikat që lidhen me përfshirjen e të rinjve në konflikt me ligjin, rëndësinë e parandalimit të fenomeneve negative, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit shkollor.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e institucioneve partnere prezantuan rolin dhe shërbimet që ofrojnë për qytetarët dhe të rinjtë në qytetin e Fierit. Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit diskutuan mbi konceptin e policimit në komunitet dhe rëndësinë e bashkëpunimit me të rinjtë për rritjen e sigurisë. Përfaqësuesit e Shërbimit të Provës ndanë informacion mbi pasojat ligjore dhe rëndësinë e rehabilitimit dhe riintegrimit social të të rinjve. Gjithashtu, Zyra e Ndihmës Juridike Falas dhe Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi informuan pjesëmarrësit mbi shërbimet dhe mekanizmat mbështetës në dispozicion të qytetarëve.
Aktiviteti u zhvillua në formë bashkëbisedimi të hapur, ku të rinjtë patën mundësinë të ndajnë mendimet, shqetësimet dhe pyetjet e tyre mbi çështjet e sigurisë dhe sfidat që hasin në komunitet.
Ky aktivitet kontribuoi në forcimin e dialogut ndërmjet të rinjve dhe institucioneve lokale, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e parandalimit dhe përgjegjësisë qytetare.

