Aktivitet nga Skema e Granteve – Mekanizmi i Koordinuar i Referimit – Shkodër

Në kuadër të zbatimit të Skemës së Granteve, më 3 Qershor 2026 u organizua në Bashkinë Vau Dejës një takim me anëtarët e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit (MKR), i cili u iniciua nga organizata ‘Gruaja tek Gruaja’. Aktiviteti kishte si qëllim informimin dhe diskutimin mbi ndryshimet e fundit në kuadrin ligjor për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, si dhe reflektimin mbi ndikimin e tyre në punën institucionale.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucione dhe organizata anëtare të MKR-së, përfshirë struktura të arsimit, policisë, shërbimeve sociale, shëndetësore dhe organizata të shoqërisë civile. Ky përfaqësim i gjerë mundësoi një shkëmbim të rëndësishëm përvojash dhe një diskutim ndërinstitucional mbi sfidat e zbatimit të legjislacionit.

Gjatë aktivitetit u prezantuan ndryshimet ligjore dhe u zhvillua një diskutim i hapur me pjesëmarrje aktive dhe interes të lartë nga të pranishmit, të cilët ndanë përvoja dhe raste konkrete nga praktika e tyre. U evidentuan disa sfida të rëndësishme në zbatim, përfshirë moszbatimin e plotë të Urdhrit për Masat Paraprake të Mbrojtjes së Menjëhershme (UMPMM), vështirësitë e grave në zonat rurale për punësim dhe akses në trajnime profesionale, si dhe mungesën e mbledhjeve të rregullta të MKR-së që ndikon në koordinimin ndërinstitucional. Si pikë e fortë u nënvizua puna e vazhdueshme me vlerësimet në familje për rastet e trajtuara.

Në përfundim, u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit dhe vijimit të aktiviteteve të ngjashme.