Qendra Kulturore Multifunksionale Antigone realizoi më 25 qershor 2026, në Libohovë shfaqjen teatrore shëtitëse të përgatitur dhe interpretuar nga të rinjtë, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme mbi parandalimin e bullizmit në shkolla dhe komunitet.
Shfaqja u prit me shumë entuziazëm nga publiku, duke marrë duartrokitje të vazhdueshme pas secilit prej tre akteve. Rreth 50 pjesëmarrës, ndër ta nxënës, prindër, mësues, punonjës socialë dhe psikologë, e ndoqën me interes dhe vëmendje këtë aktivitet. Në përfundim të shfaqjes, pjesëmarrësit u përfshinë në një bashkëbisedim të hapur me aktorët dhe organizatorët, ku ndanë mendime dhe vlerësime pozitive për trajtimin e temës së bullizmit, një fenomen shqetësues që vazhdon të ndikojë tek fëmijët dhe të rinjtë, por që shpesh mbetet i nënvlerësuar në shoqërinë shqiptare.
Shfaqjet e grupit të teatrit lëvizës do të vijojnë edhe në bashki të tjera të qarkut të Gjirokastrës, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të nxitur reagimin e komunitetit ndaj kësaj problematike.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Nga ndërgjegjësimi te veprimi: Parandalimi i kulturës së bullizmit në shkolla dhe në komunitet”, i cili zbatohet me mbështetjen e Skemës së Granteve të Programit SCPA.

