Më 15 korrik 2026, në Bashkinë Shijak u zhvillua mbledhja e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike (KVSP), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme, Prefekturës së Qarkut Durrës, Bashkisë Shijak, Policisë së Shtetit, institucioneve arsimore dhe Programit Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri (SCPA). Në fokus të takimit ishin prioritetet e sigurisë gjatë sezonit veror, përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të Strategjisë së re të Sigurisë Publike.
Në hapje të takimit, Kryetari i Bashkisë Shijak, z. Elton Arbana, vlerësoi funksionimin e KVSP-së si një mekanizëm efektiv koordinimi ndërinstitucional dhe rikonfirmoi se shqetësimet e identifikuara nga Sistemi i Matjes së Sigurisë në Komunitet (SMSK) në lidhje me sigurinë rrugore dhe uljen e shpejtësisë së automjeteve janë adresuar përmes ndërhyrjeve konkrete të bashkisë dhe institucioneve përgjegjëse.
Zv. Ministrja e Brendshme dhe Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Sigurinë Publike, znj. Anisa Ruseti, vlerësoi rezultatet shumë pozitive të Bashkisë Shijak në SMSK 2025, duke theksuar se bashkia renditet ndër më të mirat në nivel kombëtar për perceptimin e sigurisë dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve. Ajo theksoi rëndësinë që, përpara fillimit të vitit të ri shkollor, të verifikohet funksionimi i kamerave të sigurisë dhe prania e oficerëve të sigurisë në shkolla, në bashkëpunim me strukturat e arsimit dhe Ministrinë e Arsimit.
Prefekti i Qarkut Durrës, z. Adrian Gurra, theksoi se problematikat e ngritura pasqyrojnë sfidat e një bashkie në zhvillim dhe nënvizoi se adresimi i tyre kërkon një koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe vendore. Ai shprehu mbështetjen e plotë të Prefekturës për forcimin e funksionimit të KVSP-ve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në vijim, Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak prezantoi prioritetet operative për periudhën në vijim, duke theksuar nevojën për rritjen e masave parandaluese ndaj zjarreve gjatë sezonit veror, si dhe forcimin e kontrollit për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike.
Në emër të Programit SCPA, z. Ansi Shundi, Drejtues i Ekipit të Menaxhimit të Projektit ‘Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri’, solli në vëmendje disa sfida që po marrin rëndësi në nivel kombëtar, si siguria kibernetike e fëmijëve, bullizmi në rrjetet sociale dhe siguria rrugore e të miturve. Ai propozoi organizimin, në bashkëpunim me Bashkinë Shijak, Policinë e Shtetit dhe institucionet arsimore, të aktiviteteve ndërgjegjësuese gjatë muajit shtator për promovimin e kulturës së sigurisë tek fëmijët dhe të rinjtë, përfshirë demonstrime praktike mbi rëndësinë e përdorimit të rripit të sigurimit dhe sjelljes së sigurt në rrugë.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e KVSP-së ngritën si çështje prioritare menaxhimin e mbetjeve, ndotjen e mjedisit dhe nevojën për vijimin e masave parandaluese për ruajtjen e standardeve të larta të sigurisë në Bashkinë Shijak.
Në përfundim, pjesëmarrësit ranë dakord të vijojnë koordinimin ndërinstitucional për zbatimin e masave prioritare dhe për forcimin e rolit të KVSP-së në planifikimin dhe monitorimin e sigurisë në komunitet.
Për Programin SCPA, ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm në institucionalizimin e përdorimit të evidencave në vendimmarrje, duke siguruar që gjetjet e Sistemit të Matjes së Sigurisë në Komunitet të diskutohen në nivel vendor dhe të shërbejnë si bazë për hartimin e prioriteteve, planeve vendore të masave dhe politikave të policimit në komunitet.

