Mbledhja e katërt e Këshillit Drejtues të Programit SCPA

Më 23 shtator 2026 u zhvillua mbledhja e katërt e Këshillit Drejtues të Programit SCPA, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve partnere.

Takimi u bashkëkryesua nga Zëvendësministrja e Brendshme, znj. Anisa Ruseti, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, z. Dhimitraq Ziu, dhe Menaxherja e Programit pranë Ambasadës Suedeze në Shqipëri, znj. Linda Gjermani.

Gjatë takimit u prezantua progresi i Programit SCPA gjatë periudhës së raportimit dhe u diskutuan arritjet kryesore në forcimin e policimit në komunitet, përfshirë zhvillimin e trajnimeve, reformimin e raportimit statistikor, fuqizimin e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike, zbatimin e Sistemit të Matjes së Sigurisë në Komunitet dhe miratimin e Paketës së Sigurisë në Shkolla. U theksua gjithashtu rëndësia e vijimit të bashkëpunimit për hartimin e Strategjisë së re për Sigurinë në Komunitet 2027–2030 dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Duke vlerësuar bashkëpunimin shumëvjeçar u theksua rëndësia që rezultatet, njohuritë dhe praktikat e zhvilluara me mbështetjen e Qeverisë Suedeze të përthithen dhe të institucionalizohen nga Policia e Shtetit, duke siguruar që arritjet e Programit SCPA të jenë të qëndrueshme dhe të vijojnë edhe pas përfundimit të asistencës.

Takimi u përmbyll me diskutimin mbi aktivitetet e planifikuara për periudhën e ardhshme dhe angazhimin e palëve për vijimin e bashkëpunimit në funksion të një policimi më të afërt me komunitetin dhe forcimit të sigurisë publike.