Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, reagimi ndaj shqetësimeve të komunitetit dhe masat për një mjedis më të sigurt për fëmijët ishin në fokus të takimit të parë të Këshillit Vendor për Sigurinë Publike (KVSP), të zhvilluar më 25 shtator 2026, në Peqin, me pjesëmarrjen e Zëvendësministres së Brendshme dhe Kryetares së Këshillit Kombëtar për Sigurinë Publike, znj. Anisa Ruseti, Drejtuesit të Ekipit të Menaxhimit të Programit SCPA, Z. Ansi Shundi, si dhe të përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe aktorëve të tjerë të angazhuar në fushën e sigurisë publike.
Gjatë takimit, znj. Ruseti theksoi rëndësinë e identifikimit në kohë të problematikave dhe të ndërmarrjes së veprimeve konkrete për parandalimin e rasteve që mund të përbëjnë rrezik për komunitetin. Ajo informoi gjithashtu se Ministria e Brendshme është duke hartuar Strategjinë e re të Sigurisë Publike, e cila do të përcaktojë drejtimet dhe prioritetet e ardhshme në këtë fushë.
Në këtë kuadër, pjesëmarrësit nënvizuan nevojën që çështjet e identifikuara në nivel vendor të ndiqen në mënyrë të vazhdueshme, përmes një bashkëpunimi më të rregullt dhe të formalizuar ndërmjet institucioneve.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua Paketës së Sigurisë në Shkolla për vitin shkollor 2026–2027, me fokus forcimin e masave parandaluese dhe koordinimin e institucioneve për identifikimin dhe adresimin në kohë të problematikave që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu nevojën për një qasje më të koordinuar ndaj prioriteteve vendore të sigurisë, ku shqetësimet e qytetarëve të identifikohen, të adresohen dhe të ndiqen përmes përgjegjësive të qarta institucionale.
Takimi në Peqin shënoi një hap drejt një bashkëpunimi më të strukturuar ndërmjet aktorëve vendorë, me synimin që mekanizmat e sigurisë publike të jenë më pranë komunitetit dhe të mundësojnë reagim më të koordinuar ndaj problematikave të identifikuara.

