Aktivitet nga Skema e Granteve – Parandalimi i krimit – Tiranë

Më datë 8 tetor 2026, organizata Assist Albania, përfituese e skemës së granteve, zhvilloi disa takime ndërgjegjësuese me nxënësit e klasave të 8-ta dhe të 9-ta të shkollës “Dëshmorët e Lirisë”.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi parandalimin e kriminalitetit, parashikimet ligjore dhe përgjegjësitë që lindin për personat që kryejnë vepra penale, rëndësinë e referimit të rasteve problematike, si dhe fenomenin e bullizmit online.  Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe ndikimit emocional dhe psikologjik që këto problematika mund të shkaktojnë te të rinjtë, si dhe rëndësisë së ndërgjegjësimit, raportimit dhe kërkimit të ndihmës në kohën e duhur.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Siguria Vjen e Para: Mbrojtja e Komunitetit Tonë Shkollor” me synimin për të rritur ndërgjegjësimin e nxënësve dhe për të kontribuar në krijimin e një mjedisi shkollor më të sigurt, gjithëpërfshirës dhe pa dhunë.