Aktivitet nga Skema e Granteve – Dhuna në Familje – Pogradec

Më 26 tetor 2026, në Pogradec, u zhvillua mbledhja e radhës e Ekipit Teknik Ndërsektorial (ETN), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe aktorëve vendorë përgjegjës për mbrojtjen dhe mbështetjen e grupeve në nevojë.

Gjatë takimit u shqyrtuan raste të raportuara të dhunës në familje, si dhe raste të neglizhencës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Gjithashtu, u diskutua mbi nevojat për mbrojtje, përkujdesje të specializuar dhe mbështetje të mëtejshme për personat e prekur.

Shoqata “Unë, Gruaja” prezantoi mbështetjen e ofruar për personat e prekur nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, përmes shërbimeve falas të këshillimit psikologjik dhe juridik, si dhe ofrimit të pakove të emergjencës. Një pjesë e diskutimit iu kushtua rasteve që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar një përgjigje sa më efektive ndaj nevojave të tyre.

Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve mbeten thelbësore për garantimin e sigurisë, mbrojtjen e të drejtave dhe sigurimin e aksesit në shërbimet e nevojshme për gratë, fëmijët dhe familjet që përballen me vështirësi sociale dhe ekonomike.