Ekipi i Menaxhimit të Projektit SCPA pati një takim prezantues me znj. Jonna Assma Prokop, Oficere e Programit dhe Z. Johan Hasselmark, Drejtues i Ekipit, përfaqësues të Programit të ardhshëm Suedez për Mbështetjen mbi “Hetimin e Vendngjarjes dhe Dhunës Seksuale dhe me Bazë Gjinore”. Takimi u zhvillua në ambientet e Programit SCPA, më 21 nëntor 2024.
Z.Ansi Shundi, Drejtues i Ekipit të Programit SCPA ofroi një përmbledhje të Programit SCPA duke nënvizuar fushat kryesore të ndërhyrjes së fazës së tretë të tij. Ai gjithashtu informoi për aktivitetet e realizuara gjatë fazës fillestare në bashkëpunim me përfituesit e Programit dhe palët e interesit.
Z.Johan Hasselmark, Drejtues Ekipi, i Programit për “Hetimin e Vendngjarjes dhe dhunën Seksuale dhe me Bazë Gjinore” informoi se Programi do të mbështesë Policinë e Shtetit për të përmbushur praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e të drejtave të njeriut në dy komponentë kryesorë: 1-Dhuna Seksuale dhe me Bazë Gjinore (DHSBGJ), me objektivin kryesor: Përmirësimi i aftësisë dhe rritja e profesionalizmit të PSH për t’u përgjigjur ndaj dhe menaxhuar rastet e DHSBGJ dhe 2-Shkencat ligjore/Praktikat e hetimit të vendngjarjes (HVNGJ) me objektivin kryesor: “Përmirësimi i cilësisë së hetimeve penale bazuar në prova të forta teknike”.
Takimi u organizua me qëllim koordinimin e mbështetjes dhe asistencës që do të ofrohet nga të dy programet suedeze. Gjatë takimit të dyja palët diskutuan dhe ranë dakord që të shmangen mbivendosjet e aktiviteteve. Për momentin, Programi Suedez për Hetimin e Vendngjarjes dhe Dhunën Seksuale dhe me Bazë Gjinore po kalon fazën e projektimit, ndërsa Programi SCPA ka përfunduar së fundmi fazën fillestare. Në fund të takimit të dyja palët ranë dakord që të vazhdojnë bashkëpunimin duke e informuar njëra-tjetrën për zhvillimin dhe zbatimin e mëtejshëm të programeve.