Takim i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit me përfaqësues të Ambasadës Suedeze dhe të Programit SCPA ’Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri

Më 6 Nëntor 2024, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda zhvilloi një takim me znj. Linda Gjermani, Oficere e Programit pranë Ambasadës së Suedisë dhe z. Ansi Shundi, drejtues i ekipit të Programit SCPA për Policimin në Komunitet në Shqipëri.

Z. Proda vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë Suedeze dhe ndihmën e ofruar. Qeveria Suedeze, nëpërmjet programeve të financuara në vite, është një ndër bashkëpunëtoret kryesore të Policisë së Shtetit, veçanërisht në fushën e policimit në komunitet. Policia Shqiptare ka përfituar nga praktikat e mira të zbatuara dhe nga investimet e zhvilluara në kuadër të projekteve, të cilat kanë ndikuar si në infrastrukturën e policisë, ashtu edhe në paisjet e ofruara. Drejtori theksoi edhe rolin e rëndësishëm të parandalimit në krijimin e komuniteteve të sigurta dhe rëndësinë e rritjes së besimit të qytetarëve në punën e policisë, fusha ku programet e financuara nga qeveria Suedeze kanë qenë të përfshira.

Nga ana e Ambasadës Suedeze, Znj. Gjermani theksoi bashkëpunimin e frytshëm dhe partneritetin e krijuar me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përfituese të Programit të Policimit në Komunitet dhe rezultatet e prekshme të arritura nga ky bashkëpunim. Ajo informoi drejtuesit e PSH-së se krahas Programit SCPA, Ambasada Suedeze synon të financojë një tjetër projekt si një bashkëpunim dypalësh mes Policisë Suedeze dhe Policisë së Shtetit, të fokusuar në rritjen e aftësive për hetimin në vendngjarje dhe policinë shkencore dhe në çështjet e lidhura me dhunën seksuale dhe me bazë gjinore. Ky projekt i dytë parashikohet të fillojë në fillim të vitit 2025.

Drejtuesi i Ekipit të Programit SCPA z. Shundi informoi mbi aktivietet e zhvilluara në fazën e tretë të programit, i cili ka filluar në korrik 2024. Fokusi i programit do të jetë në përmirësimin e efektivitetit të zbatimit të policimit në komunitet; forcimin e llogaridhënies dhe koordinimit të policisë me aktorët e tjerë vendorë dhe rritjen e aftësive parandaluese të policisë, përfshirë programin “Shkolla të sigurta” dhe sigurinë rrugore.

Në fund të takimit, të dyja palët shprehën vlerësimin e tyre për bashkëpunimin e frytshëm dhe të suksesshëm përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit dhe synimin e tyre për të vazhduar këtë bashkëpunim edhe më tej.