Më 18 dhjetor 2024, Programi SCPA organizoi takimin e parë të Këshillit Drejtues me pjesëmarrjen e palëve të ndryshme të interesit. Mbledhja e Këshillit Drejtues u bashkëkryesua nga Z. Rebani Jaupi, Drejtor i Departamentit për Rendin dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit dhe Zëvendës Shef i Misionit dhe Drejtues për Zhvillimin për Bashkëpunim në Ambasadën e Suedisë në Tiranë z. Erik Illes. Në takim morën pjesë drejtues të Policisë së Shtetit në fushën e sigurisë publike dhe trajnimit policor, përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, z. Rebani Jaupi shprehu vlerësimin e tij për arritjen e dy fazave të mëparshme të Programit dhe theksoi se PSH mirëpret zhvillimin e mëtejshëm në fazën e tretë të Programit. Ai vuri në dukje faktin se Qeveria Suedeze nëpërmjet Programit SCPA ka mbështetur për shumë vite Policinë e Shtetit përmes aktiviteteve të saj, asistencës teknike dhe dhurimit të pajisjeve moderne teknike, rikonstruksionit të ambienteve policore, softuerve të avancuar duke forcuar bashkëpunimin me aktorët e komunitetit dhe duke rritur kapacitetet policore në ofrimin e shërbimeve të shpejta, efikase dhe transparente. PSH është e gatshme të zbatojë aktivitetet e përfshira në Raportin e Fazës Fillestare dhe mbetet plotësisht e angazhuar për të arritur rezultatet e pritshme.
Erik Illes, Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës së Suedisë, përmendi se Suedia ka qenë një partner afatgjatë në Shqipëri për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar në fushat e demokracisë, të drejtave të njeriut, të sigurisë publike dhe shërbimeve të ofrura ndaj publikut. Ai theksoi faktin se Qeveria Suedeze mirëpret partneritete dhe angazhim më të fortë me PSH jo vetëm në fushën e Policimit në Komunitet, por edhe në Hetimin e Vendngjarjes dhe Dhunën Seksuale dhe me Bazë Gjinore. Ai vlerësoi partneritetet e institucioneve të tjera përkatëse të përfshirë në zbatimin e Programit të Policimit në Komunitet, veçanërisht shoqërinë civile.Qeveria Suedeze si financuese e programit mirëpret zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve të Programit SCPA nëbashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Drejtuesi i Ekipit të Programit SCPA Z. Shundi paraqiti një përmbledhje të komponentëve dhe aktiviteteve të fushave të ndërhyrjes të programit dhe shprehu vlerësimin e tij për angazhimin e PSH dhe të gjithë aktorëve të tjerë përkatës në mbështetje të zbatimit të aktiviteteve të programit. Takimi përfundoi me miratimin unanim të Raportit Fillestar dhe Planit të Punës të Programit SCPA. Të gjithë palët e interesuara shprehën vlerësimin e tyre për bashkëpunimin e frytshëm dhe të suksesshëm me Programin dhe shprehën vullnetin e tyre për bashkëpunim dhe angazhim të mëtejshëm.