Më 10 mars 2026, në ambientet e Prefekturës së Qarkut Shkodër, u zhvillua një takim pune në kuadër të Programit SCPA, në partneritet me organizatën “Gruaja tek Gruaja” Shkodër, si grantmarrëse për mbështetjen e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) në qark.
Takimi u zhvillua nën drejtimin dhe nismën e Prefektes së Qarkut Shkodër dhe me prezantimin e ekspertes së Programit SCPA, e cila prezantoi kuadrin ligjor dhe aspektet praktike të funksionimit të KVSP-ve.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Prefekturës së Shkodrës, nënkryetarë dhe staf nga bashkitë e qarkut (Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Fushë Arrëz), përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera vendore.
Diskutimi u fokusua në prezantimin e kuadrit të ri ligjor për KVSP-të, rolet e prefektit dhe të bashkive, përbërjen dhe funksionimin e këtyre këshillave, si dhe rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për adresimin e çështjeve të sigurisë në komunitet.
Ky aktivitet shërbeu si një hap konkret drejt funksionalizimit efektiv të KVSP-ve dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore, në përputhje me qasjen e policimit në komunitet.

