Kuratoriumi për Sigurinë Rrugore (KRS), në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese për sigurinë rrugore, nga data 11,12 dhe 13 Maj 2026 zhvilloi katër seanca informuese në gjimnazin “Myslym Keta”. Aktivitetet u fokusuan në rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rreziqet në rrugë, normat e sjelljes dhe rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte rritja e vetëdijes qytetare dhe mospranimi i paligjshmërisë në rrugë. Faktohet se një pjesë e nxënësve të maturave përdorin automjete pa qenë të pajisur me leje drejtimi, çka përbën një shqetësim serioz për sigurinë rrugore dhe një përgjegjësi të përbashkët për komunitetin, familjen dhe institucionet.
Gjatë bashkëbisedimeve me maturantët u theksua se mosreagimi ndaj shkeljeve të ligjit dhe mosngritja e shqetësimeve nga vetë komuniteti i nxënësve apo prindërve krijon tolerancë ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë. U diskutua gjerësisht mbi rëndësinë e forcimit të policimit në komunitet dhe nevojën që çdo qytetar të kërkojë llogari për paligjshmërinë që has në rrugë.
Aktivitetet e zhvilluara nga KRS vijuan nga ambientet e klasës në oborrin e shkollës, ku u realizua simulimi praktik i përdorimit të rripit të sigurimit. Më pas aktiviteti vijoi në terren, ku vetë nxënësit, në rolin e vullnetarëve të sigurisë rrugore, patën mundësinë të evidentonin kundërvajtje të ndryshme dhe të ndërgjegjësonin qytetarët përmes “gjobave simbolike” të përgatitura nga vullnetarët e sigurisë rrugore.
Ky ndërveprim praktik krijoi një përfshirje aktive të të rinjve në çështjet e sigurisë rrugore dhe përcolli mesazhin se respektimi i rregullave nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por edhe e vetë komunitetit.

