Aktivitet nga Skema e Granteve – Dhuna në Familje – Tiranë

Njohja e të drejtave dhe e mundësive konkrete për të kërkuar mbrojtje ishte në qendër të takimit informues që Instituti për Zhvillim Strategjik (IZHS), në bashkëpunim me Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale të Bashkisë Tiranë, organizoi më 7 tetor pranë Qendrës Komunitare “Të Qëndrojmë së Bashku”, në Kombinat.

Aktiviteti shënoi përmbylljen e ciklit të takimeve me komunitetin, të zhvilluara në kuadër të projektit “Vendimmarrja që Mbron- Forcimi i reagimit policor dhe standardit profesional në trajtimin e dhunës në familje dhe me bazë gjinore”. Këto takime synojnë ta sjellin informacionin mbi të drejtat, garancitë ligjore dhe shërbimet e mbrojtjes më pranë qytetarëve, duke nxitur njëkohësisht ndërgjegjësimin për parandalimin dhe raportimin e dhunës.

Në fokus të sesionit ishte njohja me risitë e Ligjit nr. 11/2026 “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, si dhe me mekanizmat që mundësojnë mbrojtjen dhe mbështetjen e personave që përballen me dhunë. Diskutimet u përqendruan në identifikimin e formave të dhunës, procedurat e raportimit, masat e mbrojtjes dhe përgjegjësitë e institucioneve për trajtimin dhe referimin e rasteve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua aksesit në shërbimet sociale, ligjore, psikologjike dhe shëndetësore, përfshirë mundësitë e mbështetjes emergjente. Përmes shembujve praktikë dhe bashkëbisedimit me pjesëmarrësit, u sqaruan hapat që mund të ndiqen për të kërkuar ndihmë, si dhe rëndësia e ndërhyrjes në kohë dhe e bashkërendimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.