Në kuadër të të projektit “Partneriteti i Sigurisë rrugore me të rinjtë, pjesë e Skemës së Granteve, Kuratoriumi për Sigurinë Rrugore (KRS) zhvilloi në tetor 5 sesione trajnimi dhe ndërgjegjësimi me nxënësit e gjimnazit “Sadik Stavileci” në Tiranë.
Aktivitetet kishin si qëllim rritjen e njohurive të të rinjve mbi sigurinë rrugore, identifikimin e sjelljeve të rrezikshme dhe nxitjen e përgjegjësisë individuale në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Sesionet trajnuese u fokusuan në perceptimin e të rinjve mbi sigurinë rrugore, shkaqet dhe pasojat e aksidenteve, si dhe rëndësinë e sistemeve të sigurisë në automjete. Sesionet u përqendruan gjithashtu në identifikimin dhe parandalimin e faktorëve kryesorë të rrezikut, përfshirë shpejtësinë si një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, alkoolin, shpërqendrimin dhe mosrespektimin e rregullave të qarkullimit dhe shumë elementë të tjerë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të rripit të sigurimit si edhe kaskës mbrojtëse duke qenë se aktualisht në shqipëri me shumë se 19 % e fataliteteve i përkasin pasagjerëve. Përmes diskutimeve ndërvepruese dhe demonstrimit praktik me simulatorin e rrotullimit 360°, nxënësit përjetuan në kushte të kontrolluara efektet e përmbysjes së një automjeti dhe kuptuan rëndësinë e rripit të sigurimit.
Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte “Siguria rrugore nuk është zgjedhje, është sjellje. Siguria rrugore fillon nga vetja.”

