Më datë 27 nëntor 2025, në ambientet e Shkollës 9-vjeçare “Naum Kaçaku” në Njësinë Administrative Portëz, Fier, u zhvillua Panairi i Sigurisë Digjitale, një aktivitet edukues dhe sensibilizues i organizuar në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave.
Gjatë aktivitetit, nxënësit morën pjesë në një seri aktivitetesh informuese dhe praktike, ku mësuan rreth sigurisë në internet, mbrojtjes së të dhënave personale, identifikimit të rreziqeve online si mashtrimet, bullizmi digjital dhe kontaktet e rrezikshme, si dhe mënyrave të duhura për të reaguar në situata të dyshimta. Aktivitetet ishin konceptuar që fëmijët të mësojnë përmes lojërave, demonstrimeve dhe ushtrimeve praktike, duke e bërë procesin edukativ më të thjeshtë, të qartë dhe tërheqës.
Në kuadër të panairit, nxënësit realizuan edhe vizatime me temën “Pema e Sigurisë Digjitale”, ku vendosën mesazhe sensibilizuese dhe këshilla praktike për një përdorim të sigurt të internetit.
Ky panair synoi të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për krijimin e një mjedisi më të sigurt, jo vetëm në hapësirat digjitale, por edhe në komunitetin e tyre. Përfshirja aktive e nxënësve përbën një hap të rëndësishëm drejt promovimit të sjelljeve të sigurta, parandalimit të dhunës dhe forcimit të bashkëpunimit midis shkollës, komunitetit dhe institucioneve lokale.

