Aktivitet Ndërgjegjësues mbi ‘16 ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës Dixhitale’

Me iniciativën e Ministrisë së Brendshme dhe me mbështetjen e Programit Suedez: ‘Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri’ (SCPA), një aktivitet i veçantë ndërgjegjësimi u organizua më 5 dhjetor 2025 në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues nga agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë, si Ministria e Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit për Migracionin dhe Azilin), Policia e Shtetit Shqiptar (Departamenti për Sigurinë Publike dhe Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike), Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizit të Dhunshëm (CVE), Bashkia e Tiranës dhe institucione të tjera publike, organizata të shoqërisë civile (organizata ‘Gruaja te Gruaja’ si përfituese granti në Programin SCPA), dhe organizata ndërkombëtare (UN Women, UNDP, UNCHR, OSBE, IOM dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri) të bashkuara në angazhimin e tyre për të parandaluar dhe eliminuar dhunën dixhitale ndaj të gjitha grave dhe vajzave.

Diskutimet kryesore u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të identifikuar, parandaluar dhe reaguar ndaj dhunës online; Adresimin e abuzimit online, përndjekjes kibernetike dhe kërcënimeve të tjera dixhitale që kanë  si shenjestër gratë dhe vajzat; Përmirësimin e mbrojtjes ligjore dhe përmirësimin e Kodit të ri Penal për të adresuar më mirë ngacmimin online, përndjekjen dhe dhunën psikologjike; Përgjegjësinë e kompanive të teknologjisë për të krijuar mjedise online më të sigurta.

Ministrja e Brendshme theksoi faktin se një betejë e tillë e përbashkët mund të fitohet nëpërmjet ndërgjegjësimit, edukimit, respektit dhe gjuhës që zgjedhim të përdorim në hapësirën dixhitale.