Qendra për Progres Rinor (QPR) zhvilloi në datën 10 maj 2026 një seancë informative me nxënës dhe mësues të shkollës ‘Qazim Shehu’, Shtiqën në Kukës, me fokus rritjen e njohurive dhe aftësive për identifikimin e hershëm të rasteve të bullizmit, mbi sigurinë digjitale, raportimin, etj, në kuadër të projektit ‘Bashkë për Sigurinë – Polici, Shkollë, Komunitet’.
Nxënësit u bënë pjesë aktiviteteve dinamike si ‘Vija e Debatit’ (pro dhe kundër), ku analizuan në mënyrë kritikë sjelljet online, dhe ‘Rrethi i Privatësisë’, për të kuptuar kufijtë e sigurisë së të dhënave të tyre. Përmes diskutimeve të hapura mbi bullizmin dhe sigurinë digjitale, të rinjtë identifikuan hapat konkretë të raportimit dhe rëndësinë e të qenit mbështetës në komunitetin e tyre.

