Të rinjtë gjimnazistë të vitit të dytë të shkollës së mesme “Abdulla Keta”, u bënë pjesë e një sesioni ndërgjegjësues mbi policimin në komunitet dhe dhunën me bazë gjinore, ku diskutuan mbi marrëdhëniet e shëndetshme, presionin social, bullizmin dhe sigurinë digjitale.
Përmes ushtrimeve të ndryshme interaktive dhe diskutimeve në grup, pjesëmarrësit ndanë mendime dhe reflektime mbi rëndësinë e respektit, komunikimit të shëndetshëm dhe rolit që të rinjtë kanë në krijimin e një komuniteti më të sigurt dhe mbështetës për njëri-tjetrin. Gjithashtu, ata u informuan mbi mekanizmat e raportimit, institucionet ku mund të drejtohen dhe rolin e policimit në komunitet në parandalimin dhe adresimin e rasteve të dhunës, përfshirë edhe dhunën digjitale.
Aktiviteti u zhvillua më 26 maj 2026 nga Qendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri”, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, në kuadër të projektit “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri (SCPA)”.

