Aktivitet nga Skema e Granteve – Dhuna në familje – Shkodër

Më 24 shtator 2025, në Shkodër, u zhvillua një takim i Ekipit Teknik Ndërdisiplinor të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit, organizuar nga “Gruaja te Gruaja” në kuadër të Skemës së Granteve të programit SCPA. Takimi kishte për qëllim adresimin e sfidave që lidhen me trajtimin e rasteve të dhunës dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël në komunitet.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve anëtare të MKR-së si Zyra Vendore Arsimore, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Shëndetësor, Drejtoria Vendore e Policisë, Drejtoria Rajonale e Punësimit Shkodër, Shërbimi Social Shtetëror,  organizatat joqeveritare, qendra e kurseve profesionale si dhe koordinatorja vendore pranë bashkisë Shkodër. Gjatë diskutimeve u evidentuan një sërë sfidash, ku ndër më kryesoret ishin mungesa e buxhetit për shërbimet sociale, kapacitetet e kufizuara të strehimit për viktimat e dhunës, vështirësitë në zbatimin e takimeve prind–fëmijë dhe mungesa e mbështetjes për shëndetin mendor. U ngritën gjithashtu shqetësime për njëanshmëri në përpilimin e raporteve të vlerësimit të riskut si dhe për vendime gjyqësore të cilat shpesh cënojnë procesin e mbrojtjes së viktimave.

Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan nevojën për rritjen e mbështetjes financiare, standardizimin e procedurave në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve. Rekomandimet e dala nga ky takim pritet të kontribuojnë në përmirësimin e funksionimit të Mekanizmit dhe ofrimin e një mbështetjeje më efektive për individët dhe familjet në nevojë.