Aktivitet nga Skema e Granteve – Këshilli Vendor për Sigurinë Publike dhe Sistemi i Matjes së Sigurisë në Komunitet – Durrës

Më 2 korrik 2026, në Bashkinë Durrës u zhvillua mbledhja e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike (KVSP), me pjesëmarrjen e Zv. Ministres së Brendshme dhe Kryetares së Këshillit Kombëtar për Sigurinë Publike, znj. Anisa Ruseti, Kryetares së Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako, përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, institucioneve vendore dhe Programit SCPA. Takimi u fokusua në analizën e situatës së sigurisë në bashki dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional për adresimin e prioriteteve të komunitetit.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv. Ministrja e Brendshme dhe Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Sigurinë Publike, znj. Anisa Ruseti, theksoi rëndësinë e forcimit të rolit të Këshillave Vendorë për Sigurinë Publike si mekanizma të koordinimit ndërinstitucional, duke nënvizuar se siguria në komunitet është një përgjegjësi e përbashkët e institucioneve qendrore dhe vendore dhe se planifikimi i masave duhet të mbështetet në analiza, evidenca dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako, rikonfirmoi angazhimin e bashkisë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përgjegjëse në zbatimin e masave për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ajo vlerësoi KVSP si një mekanizëm të rëndësishëm për koordinimin e veprimeve ndërinstitucionale dhe adresimin e prioriteteve të sigurisë në nivel vendor.

Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e Sistemit të Matjes së Sigurisë në Komunitet (SMSK) 2025, të cilat evidentojnë nivele të larta besimi të qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit, kriminalitet të ulët të raportuar, si edhe identifikojnë prioritetet kryesore për ndërhyrje, ndër të cilat menaxhimi i trafikut dhe parkimeve, përmirësimi i ndriçimit dhe sigurisë në hapësirat publike, si dhe forcimi i sigurisë pranë shkollave. Diskutimet u fokusuan në mënyrën se si këto gjetje do të përkthehen në masa konkrete përmes bashkëpunimit të institucioneve anëtare të KVSP.

Në përfundim, anëtarët e KVSP ranë dakord që gjetjet e SMSK të shërbejnë si bazë për përditësimin e Planit Vendor të Masave, duke përcaktuar veprime konkrete dhe përgjegjësi të qarta për secilin institucion. Takimi rikonfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përdorimit të të dhënave në planifikimin e politikave dhe masave për një komunitet më të sigurt.

Për Programin SCPA, ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm në institucionalizimin e përdorimit të evidencave në vendimmarrje, duke siguruar që gjetjet e Sistemit të Matjes së Sigurisë në Komunitet të diskutohen në nivel vendor, të integrohen në konsultimet e KVSP dhe të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave të policimit në komunitet dhe planeve vendore të veprimit.