Aktivitet nga Skema e Granteve – KVSP dhe Siguria në Komunitet – Shkodër

Më 28 janar 2026, në Bashkinë Malësi e Madhe, Shkodër u zhvillua takimi i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike (KVSP), i cili shënoi takimin e parë për vitin 2026. Ky takim u zhvillua në kuadër të zbatimit të Skemës së Granteve dhe në bashkëpunim me organizatwn “Gruaja tek Gruaja” dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet në nivel vendor të bashkisë, policisë dhe arsimit. Takimi u fokusua në prezantimin dhe diskutimin e rezultateve të Sistemit të Matjes së Sigurisë në Komunitet (SMSK), bazuar në të dhënat e mbledhura nga anketimi i qytetarëve në dy nënzonat e bashkisë.

Përfaqësuesit e Programit SCPA theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel vendor, si një element kyç për adresimin efektiv të çështjeve të sigurisë publike. U nënvizua gjithashtu se studimi nuk duhet parë vetëm si një raport statistikor, por si një mjet praktik të dhënash, përmes të cilit institucionet vendore mund të reflektojnë mbi çështjet që qytetarët i perceptojnë si pozitive, si dhe mbi fushat ku kërkohet më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale.

Diskutimet ndërmjet anëtarëve të KVSP-së u përqendruan në perceptimet e komunitetit mbi sigurinë, dhe shqetësimet e evidentuara të cilat do të shqytoheshin më tej nëpërmjet punës në koordinim mes strukturave vendore. Takimi kontribuoi në forcimin e dialogut ndërinstitucional dhe hodhi bazat për identifikimin e prioriteteve dhe ndërhyrjeve konkrete në funksion të rritjes së sigurisë dhe besimit të komunitetit.