Më 5 Maj 2026 u zhvillua takimi i Mekanizmit të Koordinuar të Referimit (MKR) në Bashkinë Malësi e Madhe, me fokus trajtimin e një rasti që përfshin një të mitur në situatë rreziku. Në takim morën pjesë institucionet përgjegjëse për mbrojtjen sociale dhe ligjore, si dhe organizata “Gruaja tek Gruaja” në kuadër të programit SCPA, e cila ofroi ekspertizë teknike dhe ligjore lidhur me zbatimin e legjislacionit për dhunën në familje.
Rasti i trajtuar i përkiste një vajze 16-vjeçare, e cila nuk kishte frekuentuar shkollën prej dy javësh dhe ndodhej në një situatë të pasigurt familjare. Gjatë diskutimeve u ngritën shqetësime mbi rrezikun e mundshëm të trafikimit dhe ndikimin negativ të figurës së babait në sigurinë dhe mirëqenien e të miturës.
Pas vlerësimit të përbashkët të situatës, institucionet ranë dakord për marrjen e masave mbrojtëse, duke përfshirë nisjen e procedurave për Urdhër Mbrojtjeje dhe akomodimin e të miturës në një qendër rezidenciale të përshtatshme. Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe monitorimit të vazhdueshëm të rastit për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijës.
.

