Më 9 korrik 2026, Instituti për Zhvillim Strategjik (IZHS) zhvilloi një takim informues dhe ndërgjegjësues me gra dhe vajza të komunitetit pranë Qendrës Kombëtare Multidisiplinare, në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë.
Aktiviteti synoi të rrisë njohuritë e pjesëmarrëseve mbi format e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, shenjat e hershme të saj, si dhe mekanizmat e disponueshëm për raportim, mbrojtje dhe mbështetje. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe formave të dhunës të lehtësuara nga teknologjia, të cilat mund të ushtrohen përmes telefonit, mesazheve, platformave digjitale dhe rrjeteve sociale.
Pjesëmarrëset u njohën gjithashtu me zhvillimet e fundit të kuadrit ligjor, të drejtat e viktimave, shërbimet mbështetëse dhe institucionet përgjegjëse për trajtimin, referimin dhe ndjekjen e rasteve. Informacioni u përcoll përmes situatave konkrete, me qëllim që njohuritë ligjore dhe institucionale të përktheheshin në orientime të qarta dhe të përdorshme: si të identifikohen shenjat e dhunës, kur duhet kërkuar ndihmë dhe ku mund të drejtohen gratë dhe vajzat për mbrojtje dhe mbështetje.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Vendimmarrja që Mbron – Forcimi i reagimit policor dhe standardit profesional në trajtimin e dhunës në familje dhe me bazë gjinore”, të zbatuar nga Instituti për Zhvillim Strategjik, në kuadër të Skemës së Granteve të Programit SCPA “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”.

