Aktivitet nga Skema e Granteve – Parandalimi i Dhunës – Tiranë

Për shumë të rinj, kontakti i parë me forma të ndryshme të dhunës nuk ndodh në institucione apo në situata ekstreme. Ai mund të shfaqet në klasë, në grupet e shoqërisë, në rrjetet sociale apo në marrëdhënie që në pamje të parë duken të zakonshme. Pikërisht për këtë arsye, aftësia për të njohur shenjat e hershme të dhunës dhe për të reaguar ndaj tyre është një element thelbësor i parandalimit.

Gjatë një sesioni të zhvilluar me nxënësit e Shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, diskutimi u përqendrua tek sfidat me të cilat përballen të rinjtë sot, duke përfshirë bullizmin, bullizmin kibernetik, sigurinë digjitale, marrëdhëniet e shëndetshme dhe format e ndryshme të dhunës që mund të ndikojnë në mirëqenien dhe zhvillimin e tyre. Përtej informacionit teorik, vëmendja u përqendrua tek situatat konkrete që të rinjtë hasin në përditshmëri dhe tek mënyrat se si mund të kërkojnë mbështetje kur përballen me to.

Përvoja tregon se të rinjtë janë shpesh të aftë të identifikojnë sjelljet problematike, por jo gjithmonë ndihen të sigurt për t’i raportuar ato ose për të kërkuar ndihmë. Kjo e bën veçanërisht të rëndësishme krijimin e hapësirave ku ata mund të flasin hapur, të shtrojnë pyetje dhe të marrin informacion të besueshëm mbi mekanizmat e mbrojtjes që kanë në dispozicion.

Aktiviteti u zhvillua nga Instituti për Zhvillim Strategjik (IZHS), në kuadër të projektit “Vendimmarrja që Mbron – Forcimi i reagimit policor dhe standardit profesional në trajtimin e dhunës në familje dhe me bazë gjinore”, në kuadër të Skemës së Granteve të Programit SCPA.