Më 30 Prill 2026, në shkollën ‘Numani’ në Fier u zhvillua një takim informues dhe ndërgjegjësues mbi parandalimin e krimit tek të rinjtë.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Skuadra e Sigurisë Publike 2 – Partner për një komunitet të sigurt”, pjesë e Skemës së Granteve të Programit SCPA, e zbatuar nga organizatat “Epoka e Re” në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.
Qëllimi i aktivitetit ishte informimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve mbi pasojat e shkeljes së ligjit, si dhe roli i tyre dhe i komunitetit në parandalimin e krimit.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Dega Territoriale e Shërbimit të Provës Fier.
Gjatë aktivitetit u diskutuan format më të shpeshta të krimit tek të rinjtë, mënyrat e parandalimit dhe masat ndëshkimore. Gjithashtu u sollën shembuj konkretë dhe u prezantuan alternativa pozitive, si shkollimi, kurset profesionale, sporti dhe aktivitete të tjera, duke i orientuar të rinjtë se si të gjejnë mundësi reale në komunitetin e tyre.

