Aktivitet nga Skema e Granteve – Policimi në Komunitet dhe Siguria – Fier

Më 16 dhjetor 2025, në Shkollën e Mesme Profesionale “Petro Sota” në Fier, u zhvillua forumi mbi parandalimin e krimit tek të rinjtë, i organizuar nga Qendra “Epoka e Re”, në kuadër të projektit “Skuadra e Sigurisë Publike 2 – Partner për një komunitet të sigurt”, pjesë e Skemës së Granteve të Programit SCPA.

Qëllimi i këtij forumi ishte të kuptohej më mirë se cilat janë sfidat me të cilat përballen të rinjtë në komunitet, cilat janë sjelljet që i ekspozojnë ata ndaj riskut, si dhe rëndësia e ndërhyrjes në kohë përmes informimit, mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, oficer për policimin në komunitet i zonës, drejtoresha e shkollës “Petro Sota”, psikologia e shkollës, juristja e Shërbimit të Provës Fier, si dhe stafi pedagogjik i shkollës.

Gjatë forumit u trajtuan fenomenet kryesore të kriminalitetit që prekin të rinjtë, mënyrat e bashkëpunimit me institucionet arsimore, si dhe rëndësia e rolit aktiv të të rinjve në raportimin dhe parandalimin e sjelljeve të paligjshme. U diskutua gjithashtu mbi punën me të miturit, sjelljet që çojnë drejt konfliktit me ligjin dhe masat parandaluese që synojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e të rinjve në komunitet. Një vëmendje e veçantë iu kushtua faktorëve socialë që ndikojnë në sjelljet me risk, si dhe nevojës për mbështetje të vazhdueshme për familjet dhe të rinjtë, përmes bashkëpunimit të ngushtë me shkollat dhe institucionet e tjera.

Në pjesën përmbyllëse të aktivitetit u zhvillua një diskutim i hapur dhe ndërveprues me nxënësit, të cilët ndanë perceptimet e tyre mbi rreziqet në komunitet, nivelin e informacionit që kanë mbi ligjet dhe pasojat e sjelljeve të rrezikshme, si dhe sugjerime për përmirësimin e klimës së sigurisë në shkollë. Çështjet e trajtuara theksuan rëndësinë e parandalimit të hershëm, edukimit ligjor dhe mbështetjes psiko-sociale si elementë kyç për reduktimin e kriminalitetit dhe promovimin e paqes sociale mes të rinjve.