Punonjësit e Policisë së Drejtorisë së Qarkut Durrës, në bashkëpunim me stafin e Qendrës për Mbështetje dhe Iniciativa Sociale, organizuan më 15 shtator 2025 një takim me nxënësit e vitit të parë të Shkollës së Mesme Profesionale “Beqir Çela” në Durrës.
Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte nxitja e diskutimeve për sigurinë në shkolla dhe policimin në komunitet. Diskutimet u fokusuan tek çështje të tilla si siguria brenda dhe jashtë ambienteve të shkollës, roli i policisë në komunitet, si mund të ndërtohet besimi dhe komunikimi mes të rinjve dhe autoriteteve, pjesëmarrja aktive e prindërve dhe mësuesve për një shkollë më të sigurt. Gjithashtu u theksua se bashkëpunimi i vazhdueshëm mes shkollës, prindërve dhe autoriteteve mbetet vendimtar për të garantuar një mjedis sa më të sigurt për nxënësit.

