Aktivitet nga Skema e Granteve – Siguria në Shkolla – Tirana

Më 10 nëntor 2026, Instituti për Zhvillim Strategjik (IZHS) zhvilloi në ‘Shkollën e Kuqe’ në Tiranë një aktivitet informues dhe ndërgjegjësues me nxënësit, me fokus njohjen e formave të dhunës, parandalimin e tyre dhe rëndësinë e kërkimit të ndihmës në kohë.

Aktiviteti u zhvillua në një format interaktiv, duke ndërthurur bashkëbisedimin me simulime dhe ushtrime të ndryshme, në të cilat nxënësit morën pjesë aktivisht. Përmes këtij formati, informacioni u lidh me situata konkrete të jetës së përditshme, duke i nxitur të rinjtë të reflektojnë mbi sjelljet e dëmshme, mënyrat e reagimit dhe mbështetjen që mund t’i ofrojnë një bashkëmoshatari në vështirësi. Vëmendja u përqendrua te rëndësia e respektimit të kufijve personalë, komunikimit të shëndetshëm dhe kërkimit të mbështetjes nga të rriturit e besuar dhe institucionet përgjegjëse.

Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe inspektorë të zonës, prania e të cilëve mundësoi komunikimin e drejtpërdrejtë me nxënësit.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Vendimmarrja që Mbron – Forcimi i reagimit policor dhe standardit profesional në trajtimin e dhunës në familje dhe me bazë gjinore”, të zbatuar nga Instituti për Zhvillim Strategjik (IZHS), në kuadër të Skemës së Granteve.