Më 1 tetor 2025, në Gramsh u zhvillua takimi i radhës i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bashkisë Gramsh, Prefektit të Qarkut Elbasan dhe Shefit të Komisariatit të Policisë Gramsh. Në këtë takim, organizata “Tjetër Vizion”, e mbështetur nga stafi i programit SCPA, pati një rol aktiv në kuadër të projektit “PARTNER”, pjesë raundit 1 të skemës së granteve të programit.
Gjatë takimit u prezantua raporti i gjetjeve të anketimit qytetar mbi perceptimin e çështjeve të sigurisë publike dhe problematikat prioritare të qytetarëve. U diskutua mbi situatën aktuale të sigurisë publike, me fokus te dhuna në familje, siguria e të rinjve dhe siguria online. Gjithashtu u prezantua drafti i aplikacionit inovativ për raportimin e incidenteve në shkolla, duke marrë sugjerime dhe ide për përmirësimin e tij. Një vëmendje e veçantë iu kushtua përfshirjes së të rinjve, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit me rekomandime konkrete për rritjen e sigurisë në nivel lokal.
Ky takim tregoi se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve mund të ndërtojmë një komunitet më të sigurt, më gjithëpërfshirës dhe më të fortë.

