Aktivitet nga Skema e Granteve – Siguria Rrugore dhe të Rinjtë – Tiranë

Organizata, ‘Kuratoriumi për Sigurinë Rrugore (KRS) në kuadër të Skemës së Granteve të Programit Suedez për Policimin në Komunitet (SCPA), në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, zhvilloi aktivitetin e radhës informues dhe ndërgjegjësues me maturantët e shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, më 23 prill 2026.

Ky aktivitet u zhvillua në vijim të angazhimit për forcimin e kulturës së sigurisë rrugore dhe edukimin e brezave të rinj. Aktiviteti synon rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi sigurinë rrugore dhe respektimin e rregullave të qarkullimit, duke vendosur theks të veçantë te maturantët si një gjeneratë nga e cila pritet rritja e cilësisë së normave të sjelljes në rrugë.

Gjatë takimit, nxënësit u informuan mbi kufizimet ligjore për mbajtësit e lejeve të drejtimit të kategorisë B gjatë dy viteve të para nga lëshimi i saj. Sipas legjislacionit në fuqi, atyre nuk u lejohet të drejtojnë mjete motorike me fuqi specifike, në raport me masën bosh të mjetit, më të madhe se 55 kW/ton. Për automjetet hibride elektrike ose plug-in, kufiri i lejuar i fuqisë specifike është 65 kW/ton, duke përfshirë edhe peshën e baterisë.

Po ashtu, maturantët u njohën me pasojat e përdorimit të automjetit pa qenë të pajisur me leje drejtimi, duke u ndërgjegjësuar mbi sanksionet administrative dhe penale që parashikon ligji.

Një pjesë mjaft praktike dhe ndërvepruese e aktivitetit ishte demonstrimi me automjetin simulator të KRS-së, përmes të cilit të rinjtë patën mundësinë të provojnë nga afër rëndësinë jetike të përdorimit të rripit të sigurimit gjatë drejtimit të automjetit.