Më 29 Shtator 2025, në Njësinë Administrative Bushat, u zhvillua takimi i Ekipit Teknik Ndërdisiplinor të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit, organizuar nga “Gruaja tek Gruaja” në kuadër të Skemës së Granteve të programit SCPA. Takimi kishte për qëllim bashkëndarjen e pikave të forta, adresimin e sfidave që lidhen me trajtimin e rasteve të dhunës dhe propozime për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve anëtare të MKR-së si Drejtoria Rajonale e Punësimit në Shkodër, Zyra e Përmbarimit Shkodër, Zyra e Punës Vau Dejës, Zyra për Strehimin dhe Banesat Sociale Vau Dejës, Institucioni i Prefektit Shkodër dhe Këshilli i Qarkut Shkodër, organizatat joqeveritare, drejtori i Shërbimeve Sociale Vau Dejës dhe koordinatorja vendore kundër dhunës në familje pranë bashkisë Vau Dejës. Gjatë diskutimeve u evidentuan si vështirësi vajzat dhe gratë që refuzojnë vendet e punësimit, grupet vulnerabël, mungesa e linjës së transportit që krijon kufizime të mëdha për komunitetin, veçanërisht për punësimin e grave dhe shkollimin e fëmijëve, etj.
Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan nevojën për buxhetimin në kohë të zërave të shërbimeve per mbështetjen e viktimave dhe nevojën për informim dhe ndërgjegjësim të komunitetit.

