Anketa për Sistemin e Matjes së Sigurisë në Komunitet (SMSK)- Skema e Granteve

Më 2 prill 2025, në ambientet e Hotel Oxford në Tiranë, Programi “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri” (SCPA) faza 3-të, organizoi një trajnim për përfaqësuesit e katër organizatave joqeveritare të përzgjedhura për të zbatuar Anketën për Sistemin e Matjes së Sigurisë në Komunitet (SMSK) në qarqet Durrës, Elbasan, Fier dhe Shkodër. Pjesëmarrësit përfshinin koordinatorë projekti, anketues dhe supervizorë nga secila OJQ, me gjithsej 18 pjesëmarrës. Trajnimi synoi të sigurojë një kuptim të plotë të qëllimit të anketës, strukturës së pyetësorit, metodologjisë së përzgjedhjes së familjeve dhe përdorimit të platformës Google Forms për mbledhjen e të dhënave në terren.

Ky aktivitet është pjesë e Skemës së Granteve të fazës së tretë të Programit SCPA (2024–2029), e cila synon të forcojë partneritetin ndërmjet Policisë së Shtetit, KVSP ( Keshillave Vendore te Sigurise Publike) dhe komuniteteve vendore. Përmes SMSK, matet perceptimi i qytetarëve mbi sigurinë, ekspozimi ndaj krimit dhe vlerësimi i punës së Policisë. Anketa, e bazuar në përzgjedhje të rastësishme të popullsisë, ofron të dhëna të vlefshme për analizën e gjendjes së rendit dhe sigurisë publike, duke kontribuar në vendimmarrje të bazuar në prova dhe në përmbushjen e objektivave të Strategjisë Ndërsektoriale për Sigurinë në Komunitet 2021–2026.