Nën këtë moto, me iniciativën e Ministrisë së Brendshme dhe pjesëmarrjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Policisë së Shtetit, Programi Suedez “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri” (SCPA) zhvilloi një takim ndërgjegjësues me nxënës, mësues e Oficerë Sigurie të shkollave të mesme “Sami Frashëri” dhe “Ismail Qemali” në Tiranë.
Takimi ishte ndërveprues dhe u zhvillua në formë bashkëbisedimi, ku nxënësit u njohën me raste konkrete të dhunës dhe krimit kompjuterik, patën mundësinë të diskutojnë hapur dhe të drejtojnë pyetje tek oficerët e policisë që merren çdo ditë me këto raste. Megjithëse nganjëherë këto situata duken si të nxjerra nga filmat, në fakt janë prezente edhe në shoqërinë shqiptare, mes të rinjve. Diçka që nis si lojë, ka potencialin që shumë shpejt të kthehet në një vepër penale me pasoja shumë të rënda tek shokët, të njohurit apo ambjenti përreth.
Nxënësit u njohën jo vetëm me format e krimit kibernetik, por edhe me mënyrat e parandalimit, raportimit dhe referimit të rasteve pranë strukturave ligjzbatuese.Qëllimi i trajnimit ishte rritja e ndërgjegjësimit për një internet më të sigurt, mbrojtja e të rinjve online dhe fuqizimi i tyre për të reaguar ndaj çdo forme abuzimi kibernetik.


