Programi SCPA mbështet hartimin e Paketës së Sigurisë në Shkolla

Katër ministri bashkojnë përpjekjet për të garantuar një mjedis shkollor më të sigurt për fëmijët, në shkollë, në rrugën drejt saj dhe në hapësirën digjitale.

Në kuadër të prezantimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla, u zhvillua një takim i përbashkët në shkollën e mesme ‘Ibrahim Rugova’ në Kamëz, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për sigurinë, arsimin, shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.

Paketa e Sigurisë në Shkolla është një nismë ndërinstitucionale që bashkon përgjegjësitë dhe përpjekjet e katër ministrive: Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ajo synon të forcojë mekanizmat e parandalimit, identifikimit të hershëm, referimit dhe trajtimit të rasteve që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet garantimit të sigurisë së nxënësve jo vetëm brenda mjediseve shkollore, por edhe në hapësirat përreth shkollës, gjatë rrugës drejt saj dhe në mjedisin digjital.

Programi SCPA, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet përkatëse, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm përmes ekspertizës së tij në procesin e hartimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla. Ky angazhim është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Programit për forcimin e policimit në komunitet, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve.

Përmes kësaj nisme, synohet të forcohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, shkollave, prindërve dhe komunitetit, duke krijuar një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe adresimin e problematikave që lidhen me sigurinë në shkolla.