Takim i Programit SCPA dhe Programit ICITAP mbi mbështetjen e ofruar për Policinë e Shtetit

Ekipi i Menaxhimit të Programit SCPA pati një takim me ekipin e Programit ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimet mbi Hetimet Kriminale) në ambientet e Programit SCPA më 8 maj 2024.

Qëllimi i takimit ishte të diskutohej dhe të ndahej informacioni dhe përvojat e përpjekjeve të të dy programeve për të mbështetur Policinë e Shtetit në reformat e saj policore. Gjatë takimit, Atasheu i Programit ICITAP, Z. Richard Deasy, dhe Drejtuesi i Ekipit të Programit SCPA, Z. Ansi Shundi, si dhe anëtarë të tjerë të ekipit shkëmbyen informacion mbi trajnimet e ofruara në fazën e mëparshme nga Programi SCPA dhe trajnimet aktuale që ofrohen nga të dy programet. Programi SCPA informoi mbi zhvillimin aktual të trajnimit mbi “Zbatimin e Policimit në Komunitet në Praktikë” për Oficerët e Patrullës së Përgjithshme dhe Oficerët e Sallës së Komandës dhe Kontrollit dhe ICITAP informoi mbi zhvillimin aktual të trajnimit  mbi “Aftësitë e Hetimit të Krimit” për Ndihmës Specialistët për Policimin në Komunitet të Policisë së Shtetit.

Programi SCPA dhe Programi ICITAP diskutuan aktivitetet që po kryhen në mbështetje të strukturave të Ndihmës Specialistëve për Policimin në Komunitet dhe të Oficerëve të Patrullës së Përgjithshme me qëllim krijimin e sinergjisë dhe shmangien e mbivendosjes së aktiviteteve. Ata ndanë mendimet e tyre mbi çështjet aktuale që përfshijnë të dyja këto struktura policore si në aspektin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre, ashtu edhe për sa i përket kurrikulave dhe arsimit përkatës. Në përfundim, të dy programet ranë dakord të koordinohen e të bashkëpunojnë në mbështetje të Policisë së Shtetit.