Ekpi i Menaxhimit të Programit SCPA së bashku me ekspertë të Ministrisë së Brendshme dhe ASPA (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike) nisën një trajnim 5-ditor drejtuar personelit të Drejtorisë së Standardeve Profesionale (DSP) me temë “Forcimi i Integritetit dhe Përmirësimi i Vlerësimit të Performancës në Policinë e Shtetit”. z. Ansi Shundi, Drejtues i Ekipit të Programit SCPA dhe Drejtor i Drejtorisë së Standardeve Profesionale, z. Dhimitraq Ziu i uruan mirëseardhjen pjesëmarrësve në trajnim. Së bashku me lektorët ata ndanë pikëpamjet e tyre se si një trajnim i tillë mund të mbështesë personelin e DSP-së për të rritur kapacitetet e tyre dhe për të përmirësuar aftësitë e tyre në përmbushjen e detyrave të tyre të përditshme në secilin sektor përkatës brenda DSP-së.
Programi i trajnimit është hartuar për të forcuar kapacitetin e drejtorisë për të mbikëqyrur, vlerësuar dhe mbështetur në mënyrë efektive strukturat qendrore dhe vendore të policisë dhe përfshin module teorike dhe ushtrime praktike në grup. Ai u siguron pjesëmarrësve një kombinim të njohurive teorike, mjeteve praktike dhe parimeve etike të përshtatura për përgjegjësitë e tyre specifike. Theksi në zhvillimin e aftësive përfshin fusha të tilla si vlerësimi i performancës, menaxhimi i ankesave dhe procedurat disiplinore, të cilat të gjitha janë thelbësore për sigurimin e transparencës, drejtësisë dhe efikasitetit brenda kornizës së policisë.
Lektorët në bashkëpunim me pjesëmarrësit në trajnim gjatë këtyre pesë ditëve do të fokusohen në shkëmbimin e praktikave më të mira dhe shkëmbimin e përvojave për tema dhe fusha të tilla si kuptimi i standardeve, kritereve dhe procedurave institucionale dhe individuale për vlerësimin e performancës; promovimi i standardeve etike individuale dhe institucionale për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien; rritjen e aftësive ndërpersonale dhe teknike për të përmirësuar inspektimet dhe menaxhimin e ankesave; vënia në zbatim e një qasje analitike dhe bashkëpunuese për të përmirësuar veprimet dhe performancën e DSP-së.
Qasja gjithëpërfshirëse e trajnimit do të ndihmojë në fuqizimin e personelit të DSP-së për të adresuar sfidat komplekse, për të marrë vendime të informuara dhe për të zbatuar masa që rrisin performancën dhe reputacionin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në fund të trajnimit pjesëmarrësit pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje.