Aktivitet Ndërgjegjësues mbi ‘16 ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore’ – Shkodër

Një takim ndërgjegjësues me të rinjtë u zhvillua më 3 dhjetor 2025  në shkollën e mesme “Sherif Hoxha” në Koplik, Malësi e Madhe, nga “Gruaja tek Gruaja” në kuadër të Skemës së Granteve të Programit SCPA dhe u realizua si pjesë e Fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Aktiviteti synoi t’u ofronte nxënësve një kuptim më të gjerë të policimit në komunitet dhe rolit të tyre në rritjen e sigurisë. Gjatë takimit, nxënës të vitit të parë u njohën me parimet e policimit komunitar dhe më pas punuan në grupe për të analizuar situata që lidhen me konfliktet mes të rinjve, sigurinë pranë shkollës, gjuhën e urrejtjes online dhe perceptimet ndaj policisë. Ata përcaktuan aktorët kyç për menaxhimin e këtyre situatave dhe propozuan forma konkrete bashkëpunimi mes shkollës, prindërve, policisë dhe vetë të rinjve.

Reflektimet e nxënësve treguan angazhim dhe ndërgjegjësim të lartë: disa theksuan se veprimet e vogla mund të sjellin ndryshim real në komunitet, të tjerë u shprehën se komunikimi i hapur e bën më të lehtë gjetjen e zgjidhjeve, ndërsa disa ngritën shqetësimin se komentet e pamenduara në internet shpesh e rëndojnë situatën, duke nënvizuar nevojën për edukim mbi sjelljen online. Nxënësit shprehën gjithashtu interes për trajnime praktike me policinë dhe hapësira të rregullta dialogu brenda shkollës.