Më 14 maj 2026, një sesion informues dhe ndërgjegjësues mbi parandalimin e dhunës dhe promovimin e marrëdhënieve të shëndetshme u zhvillua me nxënësit e gjimnazit me orientim gjuhësor “Asim Vokshi” në Tiranë, nga Qendra Instituti për Zhvillim Strategjik (IZHS).
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Vendimmarrja që Mbron – Forcimi i reagimit policor dhe standardit profesional në trajtimin e dhunës në familje dhe me bazë gjinore”, pjesë e Skemës së Granteve të Programit SCPA. Qëllimi i aktivitetit ishte informimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve mbi format e ndryshme të dhunës dhe abuzimit, si dhe mbi rëndësinë e identifikimit të hershëm të sjelljeve problematike dhe përdorimit të mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe raportimit.
Gjatë sesionit u diskutuan tema si dhuna në familje, dhuna digjitale, bullizmi, marrëdhëniet e shëndetshme, siguria online dhe mënyrat për të kërkuar ndihmë, duke nxitur reflektim dhe ndërgjegjësim mbi rëndësinë e parandalimit dhe reagimit në kohë.

