Më 16 shtator 2026, në Divjakë, u zhvillua aktiviteti përmbyllës i projektit “Skuadra e Sigurisë Publike 2 – Partner për një komunitet të sigurt”, pjesë e Skemës së Granteve, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.
Aktiviteti mblodhi së bashku aktorët kryesorë të përfshirë gjatë zbatimit të projektit, përfaqësues të institucioneve vendore, policisë, arsimit, strukturave të drejtësisë dhe komunitetit. Në fokus të takimit ishte siguria në shkolla dhe parandalimi i krimit tek të rinjtë, si një nga çështjet prioritare të evidentuara gjatë punës së projektit. Gjatë aktivitetit u reflektua mbi arritjet e projektit, sfidat e hasura gjatë zbatimit dhe rezultatet e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit. Diskutimet u përqendruan gjithashtu te masat e ndërmarra për rritjen e sigurisë në shkolla, identifikimi dhe referimi në kohë i rasteve problematike, përfshirja e prindërve dhe të rinjve dhe nevoja për një koordinim më të mirë ndërinstitucional. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua mundësive për vazhdimësinë e bashkëpunimit pas përfundimit të projektit, me synim sigurimin e qëndrueshmërisë së rezultateve të arritura dhe forcimin e mëtejshëm të mekanizmave vendorë të bashkëpunimit për sigurinë në komunitet.
Në përfundim, u theksua rëndësia e një qasjeje të përbashkët dhe parandaluese, ku edukimi, informimi, sporti, përfshirja sociale dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, familjes dhe komunitetit të shërbejnë si mjete konkrete për krijimin e një mjedisi më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë.

