Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Mekanizmave Vendore për Përmirësimin e Bashkëpunimit dhe Sigurisë Publike në Qarkun Durrës”, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, më 26 qershor 2025, u organizua një workshop me oficerët e sigurisë nga shkollat e Durrësit, Shijakut dhe Kavajës dhe përfaqësues nga Drejtoria e Policisë Durrës.
Takimi kishte për qëllim diskutimin e praktikave dhe protokolleve aktuale dhe identifikimin e mënyrave për përmirësimin e mekanizmave të komunikimit dhe reagimit në situata që lidhen me sigurinë e nxënësve. U theksua rëndësia e forcimit të rolit të oficerit të sigurisë si një urë bashkëpunimi midis shkollës, Policisë së Shtetit dhe komunitetit si dhe u propozua hartimi e një plani veprimi që do të mbështesë oficerët me trajnime praktike, simulime, shkëmbim përvojash dhe hartim protokollesh për menaxhimin e rasteve të bullizmit, krizave, dhe sjelljeve problematike. Një aspekt i veçantë i këtij angazhimi është ndërtimi i një marrëdhënieje pozitive midis oficerëve të sigurisë dhe nxënësve, përmes takimeve të hapura dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese.